Deputetja Jorida Tabaku ngre alarmin për gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare, duke e cilësuar optimizmin qeveritar si propagandë të shkëputur nga realiteti.
Në një reagim të fortë publik, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të fshehë krizën e thellë ekonomike që po përjetojnë qytetarët shqiptarë. Ajo iu referua të dhënave të fundit të Eurostat, sipas të cilave 55% e familjeve shqiptare nuk arrijnë të mbyllin dot muajin me të ardhurat që sigurojnë.
“Raporti i Eurostat është fotografia më e qartë e realitetit që qeveria përpiqet ta maskojë me spote dhe statistika të bukura për ekran. Por faktet flasin vetë: më shumë se gjysma e qytetarëve nuk ia dalin të jetojnë me pagën që marrin,” deklaroi Tabaku.
Sipas saj, kriza është thelluar nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe zhvlerësimi i euros me rreth 30%, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve. “Sot, 40% e buxhetit të një familjeje shqiptare shkon vetëm për ushqim. Taksat janë rritur, çmimet po ngjiten, ndërsa të ardhurat kanë mbetur në vend,” shtoi ajo.
Deputetja theksoi se varfëria është realitet i prekshëm në çdo familje. “Në një vend ku shifrat zyrtare flasin për rritje ekonomike, frigoriferët janë bosh. Shqipëria është më e varfër, sepse është e vjedhur,” përfundoi Tabaku, duke i bërë thirrje qeverisë të përballet me të vërtetën dhe jo ta fshijë atë pas fjalëve të bukura.
