Këngëtarja Rina Balaj ka folur hapur për raportin e saj me reperin Fero, me të cilin vite më parë solli bashkëpunime që u kthyen në hite dhe lanë gjurmë në skenën muzikore shqiptare.
Në një intervistë të fundit, artistja u shpreh se mes tyre ka ekzistuar gjithmonë respekt dhe afërsi, pavarësisht ndryshimeve në karrierë dhe në jetën personale. Ajo theksoi se lidhja e tyre artistike ka nisur në moshë shumë të re, duke krijuar një raport që ka shkuar përtej muzikës.
Unë me Feron mund të them lirisht se jemi rritur bashkë. Kemi qenë shumë të rinj kur kemi filluar të punojmë. Ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm me mua, por edhe me shoqet e mia, që janë të gjitha vajza,” tha Rina.
Ajo shtoi se gjatë viteve kanë pasur gjithmonë mbështetje të ndërsjellë dhe komunikim të mirë. “Shpeshherë kemi ndarë këshilla me njëri-tjetrin. Edhe pse nuk kemi qenë në të njëjtin label, kemi ruajtur një raport të shëndetshëm. Feron e shoh si vëllain tim, si Rigonin,” u shpreh këngëtarja, duke përmendur emrin e vërtetë të reperit.
E pyetur për procesin gjyqësor ndaj Feros, i cili akuzohet nga ish-bashkëshortja e tij Arbenita Ismajli për dhunë në familje, Rina preferoi të mos komentojë, duke theksuar se nuk dëshiron të japë gjykime për diçka që nuk e ka përjetuar vetë.
“Nuk mund të gjykoj për diçka që nuk e kam parë vetë,” përfundoi ajo.
