Raporti i Progresit i Komisionit Europian për Shqipërinë, i publikuar të martën, vlerëson me “proges të mirë” punën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, në kuftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që ecuria në fusha të tjera që lidhen me qeverisjen ka marrë përgjithësisht nota negative ose mesatare.
Në fushën e demokracisë, Komisioni Europian rezervon kritika për zgjedhjet e fundit parlamentare, duke iu referuar raportit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR për “mungesën e kushteve të barabarta dhe abuzimin me burimet publike” dhe rekomandon një reformë e plotë zgjedhore.
Raporti ka risjellë në vëmendje shqetësimet për punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit të posaçëm parlamentar anti-korrupsion në legjislaturën e kaluar, që u drejtua nga Fatmir Xhafaj.Në kapitullin për demokracinë, në një fjali të vetme, KE thekson se “ndarja e kompetencave midis qeverisjes vendore dhe asaj qendrore mbetet problem”.
Gjithsesi në këtë kapitull, rekomandimet nga viti i kaluar konsiderohen të zbatuara pjesërisht dhe mbeten në masë të madhe të vlefshme për vitin që vjen për rritjen e hetimeve financiare ndaj krimit të organizuar, përfshirë trafikimin e paligjshëm, terrorizmin dhe pastrimin e parave; të bëjë operativ observatorin kombëtar të drogës dhe të të adresojë çështjen e kërkesave të pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë drejt vendeve të Unionit.
“Është bërë përparim i mirë në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar, përmes rritjes së kapaciteteve të SPAK në hetimet financiare, forcimit të luftës kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimit të aseteve të lidhura me krimin e organizuar. SPAK ka konsoliduar më tej bashkëpunimin ndërkombëtar, veçanërisht me shtetet anëtare të BE-së dhe agjencitë e BE-së, për hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale me rrezik të lartë, duke dhënë rezultate të para të prekshme,” thuhet në raport.
Pavarësisht progresit të punës së SPAK, në përgjithësi Shqipëria vlerësohet si “mesatarisht e përgatitur” në luftën kundër krimit të organizuar dhe i kërkohet të përshpejtojë përafrimin e kuadrit ligjor dhe të forcojë kapacitetet e zbatimit të ligjit dhe të përmirësojë efikasitetin e hetimeve, përfshirë zhvillimin e analizës kriminale dhe financiare.
Edhe në kapitullin për luftën kundër korrupsionit, puna e SPAK shihet si konsolidim i “rezultateve pozitive” dhe “përparim i prekshëm” drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm.
