
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke e cilësuar atë si një dokument të rëndësishëm për forcimin e integritetit zgjedhor në vend.Në një reagim në X, Celibashi theksoi se raporti i ODIHR-it duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë:
“Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve.”
Ai shtoi se debati mbi vetë gjykimet e raportit nuk sjell ndonjë përfitim të vërtetë: “Gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet dhe vlerësimet e ‘gjykatësit të zgjedhjeve’ nuk kanë ndonjë dobi.”
Duke u ndalur te domosdoshmëria e reformës zgjedhore, Celibashi bëri thirrje për një angazhim konkret të forcave politike, sidomos të atyre parlamentare, për të përfunduar një reformë të thellë dhe domethënëse brenda një afati njëvjeçar:“Partitë politike, veçanërisht ato parlamentare, duhet të angazhohen për të përfunduar një reformë domethënëse zgjedhore brenda një viti.”
Sa i përket vlerësimeve ndaj vetë institucionit që ai drejton, Celibashi u shpreh se komentet pozitive të raportit për punën e KQZ-së janë një nxitje për përmirësim të mëtejshëm:“Vlerësimet pozitive – thuajse për gjithçka që ky institucion bëri në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve – janë shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë.”