Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar këtë mëngjes në një qendër votimi në Prishtinë, duke i cilësuar votimet në balotazh si “ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë”.
Ai tha se u bën thirrje “gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ata si banorë të komunave të Republikës”.
Kosova zhvillon sot zgjedhje e balotazhit në 18 nga 38 komuna që ka vendi, pasi këto komuna nuk arritën ta zgjedhin kryetarin në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor.
Në këtë raund, gara shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal, por edhe si tregues i prirjeve të ardhshme në skenën qendrore.
Komunat që zhvillojnë balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
Vendvotimet në të gjitha komunat ku zhvillohet balotazhi do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00, sipas Komisionit Zgjedhor të Kosovës.
