
Washingtoni flet me kujdes, ndërsa Rama rrezikon marrëdhëniet me SHBA me një shfaqje të turpshme diplomatike
Shtëpia e Bardhë ka reaguar ekskluzivisht për Top News pas komenteve të Kryeministrit Edi Rama në formë “batute” për Presidentin amerikan Donald Trump, një episod i ndodhur në prani të Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Presidentit të Azerbajxhanit Ilham Alijev.
Gazetari Xhoi Malesia ka adresuar tre pyetje për administratën amerikane. I pyetur nëse komentet e Ramës janë marrë negativisht ose ndikojnë në marrëdhëniet dypalëshe, reagimi i Nënsekretares së Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Anna Kelly, ishte krejtësisht diplomatik:
“Presidenti Trump ka bërë më shumë për stabilitetin global, se sa çdo lider tjetër në botë!”
Zyrtarja e lartë e komunikimit kujtoi faktin që Presidenti Trump e përsërit shpesh në daljet publike: vullnetin e tij për të arritur marrëveshje paqeje. Në këtë mënyrë, Uashingtoni shmangu çdo koment të drejtpërdrejtë për Kryeministrin shqiptar, duke ruajtur tonin institucional dhe duke e lënë Ramën të përballej vetë me pasojat e gafës së tij.
Ndërkohë, mediat më prestigjoze ndërkombëtare e përshkruan sjelljen e Ramës si tallëse dhe jo të denjë për një forum diplomatik. Përballë jehonës së pakëndshme, vetë Rama doli me një reagim shfajësues, duke thënë se “një moment gazmor” ishte shtrembëruar me qëllim dashakeq. Ai madje u përpoq të nxjerrë në pah “rendimentin pozitiv” të Trump për paqen, një kthesë e qartë nga batuta që e ekspozoi në skenën ndërkombëtare.
Por më thelbësor është fakti se një sjellje e tillë minon marrëdhëniet me aleatin më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm të Shqipërisë. ShBA ka qenë tradicionalisht garantuesi kryesor i sigurisë dhe stabilitetit të vendit, por një kryeministër që përdor batuta të papeshuara për Presidentin amerikan, rrezikon jo vetëm imazhin personal, por edhe raportin strategjik që është jetik për kombin.
Ky episod nxjerr në pah papërgjegjshmërinë e Ramës, duke e paraqitur si një lider që e përdor humorin për të fituar vëmendje, por në fakt e kthen Shqipërinë në skenë të talljes ndërkombëtare, duke cenuar seriozitetin e marrëdhënieve me Uashingtonin.