
Sulmuesi argjentinas i Chelseat shfaq hapur qëndrimin e tij pas shkarkimit të trajnerit me të cilin u përplas dhe që e detyroi të largohej nga Old Trafford
Alejandro Garnacho ka tërhequr vëmendjen e mediave angleze pas një reagimi të heshtur, por domethënës, menjëherë pas shkarkimit të Ruben Amorim nga posti i trajnerit të Manchester United. Sulmuesi 21-vjeçar, i cili u transferua te Chelsea verën e kaluar për 40 milionë paund, ka pëlqyer në rrjetet sociale një postim që konfirmonte largimin e Amorim, duke u interpretuar si një shenjë e qartë se raportet mes tyre mbeten të acaruara.
Marrëdhënia mes Garnachos dhe Amorim nisi të krisej vetëm një muaj pas ardhjes së trajnerit portugez në Old Trafford, kur argjentinasi u la jashtë skuadrës për derbin e Manchesterit, së bashku me Marcus Rashford. Edhe pse më pas arriti të rikthehej në planet e trajnerit dhe të aktivizohej në 58 ndeshje gjatë sezonit, tensionet nuk u shuan kurrë plotësisht.
Situata shpërtheu përfundimisht pas finales së Europa League ndaj Tottenhamit, ku Garnacho u aktivizua vetëm për pak minuta. Pas ndeshjes, ai shfaqi publikisht pakënaqësinë për rolin e tij, deklaratë që u konsiderua vendimtare për prishjen përfundimtare të marrëdhënies me Amorim. Pak ditë më pas, trajneri i kishte bërë të qartë se e ardhmja e tij në klub ishte e pasigurt.
Në vijim, Garnacho u përfshi në grupin e lojtarëve të lënë jashtë planeve të klubit dhe u largua drejt Chelseat, ku aktualisht aktivizohet. Reagimi i tij i fundit në rrjetet sociale, pas shkarkimit të Amorim, është parë si një formë e heshtur celebrimi për fundin e një kapitulli të vështirë në karrierën e tij.
Shkarkimi i Ruben Amorim nga Manchester United ka ardhur pas një sezoni të dobët dhe përplasjeve të shumta me lojtarë kyç, ndërsa reagimi i Garnachos vetëm sa ka shtuar debatet rreth klimës së tensionuar që mbretëronte në klub gjatë drejtimit të trajnerit portugez.
