
Mes kërcënimeve ushtarake, bunkerëve dhe izolimit ndërkombëtar, analistët flasin për një fazë vendimtare për pushtetin e Udhëheqësit Suprem të Iranit
Tensionet rreth Iranit kanë hyrë në një fazë kritike, teksa regjimi i udhëhequr nga Ali Khamenei përballet me kërcënime të hapura ushtarake, protesta të përgjakshme të brendshme dhe një izolim gjithnjë e më të thellë ndërkombëtar. Sipas raportimeve të fundit nga burime analitike dhe të sigurisë, edhe Rusia, aleati kryesor strategjik i Teheranit, po sinjalizon tërheqje nga mbështetja aktive ndaj regjimit iranian.
Ndërsa Khamenei dhe rrethi i ngushtë i pushtetit raportohet se janë strehuar në bunkerë për arsye sigurie, propaganda zyrtare iraniane përpiqet të tregojë forcë. Në Teheran janë shfaqur murale kërcënuese kundër Shteteve të Bashkuara, ndërsa Garda Revolucionare deklaron se është gati për përballje ushtarake dhe se ka gishtin në këmbëz. Megjithatë, pas kësaj retorike, analistët shohin shenja të qarta frike dhe pasigurie.
Një nga sinjalet më domethënëse është delegimi i menaxhimit të përditshëm të çështjeve të regjimit te djali i tij, Massud Khamenei. Ky veprim interpretohet si tregues i perceptimit të një rreziku real dhe të afërt për jetën dhe pushtetin e liderit suprem.
Sipas burimeve të sigurisë rajonale, Vladimir Putin mund të ketë vendosur të mos investojë më kapital politik dhe strategjik për të mbrojtur Khamenein. Rusia, e angazhuar në disa fronte ndërkombëtare dhe e interesuar për negociata të reja me Perëndimin, mund ta konsiderojë Iranin si një aleat gjithnjë e më të kushtueshëm dhe të paqëndrueshëm. Nëse kjo distancim konfirmohet, analistët paralajmërojnë se koha politike e Khameneit mund të jetë drejt fundit.
Nga ana tjetër, edhe sinjalet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më të ashpra. Washingtoni raportohet se ka paralajmëruar Teheranin, përmes kanaleve indirekte, se çdo përshkallëzim do të duhet të përballohet nga vetë regjimi iranian. Reagimi i Teheranit ka qenë kërcënimi me një luftë të gjerë, por kjo vjen në një moment kur Irani duket më i izoluar se kurrë.
Sipas burimeve diplomatike, në tryezën e SHBA-së dhe të Izraeli nuk ndodhet vetëm një operacion i mundshëm kundër infrastrukturës ushtarake të Gardës Revolucionare, por edhe skenari i rrëzimit të regjimit, i akuzuar për shtypje brutale të revoltës së brendshme. Izraeli ka vendosur forcat e tij në nivel maksimal gatishmërie, ndërsa përgatitjet për një operacion të koordinuar duket se janë në fazë të avancuar.
Në të njëjtën kohë, të dhëna tronditëse dalin edhe për situatën e brendshme në Iran. Media ndërkombëtare raportojnë se gjatë dy ditëve protestash masive në janar, numri i viktimave mund të ketë arritur në dhjetëra mijëra. Sipas burimeve të ndryshme, regjimi ka urdhëruar forcat e sigurisë të shtypin protestat me çdo mjet, duke shënuar një nga episodet më të përgjakshme të historisë së Republikës Islamike.
Në këtë klimë tensioni ekstrem, me mbështetjen ruse që lëkundet dhe presionin ndërkombëtar që rritet, e ardhmja e regjimit iranian dhe e vetë Ali Khameneit duket më e pasigurt se kurrë më parë.
