
Arrestimi i ish-liderit venezuelian pritet të godasë rëndë Havanan, e varur prej dekadash nga nafta dhe aparati i sigurisë i Karakasit
Arrestimi i ish-liderit të Venezuelës Nicolas Maduro ka hapur një kapitull pasigurie për Kubën, aleatin e tij më të ngushtë prej dekadash. Lidhjet mes dy qeverive kanë qenë aq të thella, sa forcat e sigurisë së Maduron përfshinin gjerësisht personel kuban, çka shpjegon edhe deklaratat nga Havana se dhjetëra shtetas kubanë humbën jetën gjatë operacionit amerikan për kapjen e Maduron dhe bashkëshortes së tij.
Sipas autoriteteve kubane, viktimat u vranë pas përplasjeve të drejtpërdrejta ose si pasojë e bombardimeve gjatë ndërhyrjes. Flamujt u ulën në gjysmështizë, ndërsa ngjarja ekspozoi dobësi serioze në aparatin e inteligjencës së Kubës. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se siguria e brendshme në Karakas ishte e kontrolluar nga kubanët, duke theksuar rolin e tyre në mbajtjen në pushtet të Maduron.
Marrëdhënia Kubë–Venezuelë u ndërtua fillimisht nga Hugo Chávez dhe u forcua nën drejtimin e Fidel Castro dhe Raúl Castro. Që nga viti 1999, Karakasi dërgoi miliarda dollarë naftë në Havana në këmbim të këshilltarëve, mjekëve dhe personelit të sigurisë. Kjo marrëveshje e shpëtoi Kubën nga kriza e thellë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, duke e zëvendësuar Moskën me Venezuelën si sponsor kryesor.
Sot, pa Maduron, Kuba përballet me rrezikun e një krize të re energjetike. Venezuela është furnizuesi më i madh i naftës për ishullin. Kuba ka nevojë për rreth 100 mijë fuçi naftë në ditë, por prodhon vetëm rreth 40% të nevojës. Furnizimet nga Karakasi kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit dhe bllokada amerikane rrezikon t’i reduktojë edhe më tej, duke thelluar ndërprerjet e energjisë, rënien e prodhimit bujqësor dhe vështirësitë ekonomike.
Presidenti amerikan Donald Tramp ka deklaruar se Kuba është në telashe serioze pa të ardhurat nga nafta venezueliane. Sipas të dhënave zyrtare, ekonomia kubane u tkurr me mbi 1 % në vitin 2024, ndërsa inflacioni mbetet në nivele dyshifrore.
Në Karakas, pas arrestimit të Maduron, pushtetin e ka marrë zëvendëspresidentja e tij, Delcy Rodríguez. Vendimi i saj për të mbajtur ose larguar mijëra këshilltarë dhe agjentë kubanë do të shihet si një sinjal kyç për gatishmërinë e bashkëpunimit me Uashingtonin. Analistët theksojnë se dëbimi i aparatit kuban të sigurisë do të tregonte një ndryshim të qartë kursi.
Operacioni që çoi në arrestimin e Maduron ka nxjerrë në pah edhe kufijtë e ndikimit kuban në Venezuelë. Edhe pse Kuba ka luajtur rol vendimtar në sigurinë e Karakasit për vite me radhë, kjo nuk mjaftoi për të ndalur ndërhyrjen amerikane. Paralajmërimet nga Uashingtoni sugjerojnë se operacione të ngjashme mund të pasojnë edhe në vende të tjera të hemisferës perëndimore, duke e lënë Kubën përballë një të ardhmeje edhe më të pasigurt.
