
Aksidenti ndodhi në zonën malore Pedra do Baú, ku hedhjet BASE janë të ndaluara nga autoritetet, ndërsa policia përjashton pistën kriminale
Një sportist ekstrem 33-vjeçar ka humbur jetën në Brazil pasi pajisjet e tij dështuan pak çaste pas hedhjes nga një formacion shkëmbor. Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 dhjetor në kompleksin malor Pedra do Baú, një zonë e njohur për turizëm aventurier, por ku base jumping është i ndaluar nga autoritetet.
Viktima është identifikuar si Luiz Henrique de Oliveira Schaefer, i njohur në komunitetin e sporteve ekstreme për pasionin ndaj fluturimit të lirë dhe natyrës. Shërbimet zjarrfikëse bënë të ditur se defekti i pajisjeve bëri që ai të humbiste kontrollin dhe të përplasej me shkëmbinjtë, duke mbetur i bllokuar në një zonë të vështirë për t’u arritur.
Dëshmitarët njoftuan menjëherë emergjencat, por kur ekipet mbërritën në vendngjarje, 33-vjeçari ishte tashmë pa shenja jete. Trupi i tij u nxor me ndihmën e një helikopteri. Policia po heton shkaqet e defektit teknik, ndërsa rasti po trajtohet si aksident dhe jo si vepër penale.
Vetëm një ditë para tragjedisë, Schaefer kishte ndarë në rrjetet sociale një fotografi nga e njëjta zonë malore. Ai ishte duke mbledhur fonde për një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të një problemi shëndetësor, duke theksuar se trupi ishte mjeti i tij kryesor për jetën dhe profesionin.
Autoritetet braziliane kanë rikujtuar se hedhjet BASE në Pedra do Baú janë të ndaluara, duke paralajmëruar për rreziqet serioze që paraqet kjo zonë. Ngjarja ka tronditur komunitetin e sporteve ekstreme dhe ka rihapur debatin mbi sigurinë dhe respektimin e ndalimeve në aktivitete të tilla.
