
Betim Januzi, i njohur si Buta, akuzohet nga Prokuroria për shitje narkotikësh dhe posedim armësh: në makinën e tij BMW dhe banesë iu gjetën kokainë, marihuanë dhe municion
Reperi i njohur Betim Januzi, i cili njihet nga publiku me emrin artistik Buta, është përballur sot me seancën e parë gjyqësore në Gjykatën Themelore të Ferizajt, pasi Prokuroria e akuzon për dy vepra të rënda penale: shitje dhe shpërndarje narkotikësh si dhe mbajtje të paligjshme të armëve.
Buta u arrestua më 11 shtator, kur gjatë një kontrolli rutinë në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, policia gjeti në automjetin e tij tip BMW një qese me kokainë. Në çantën personale iu zbuluan edhe tre qese të tjera me gjithsej 1.32 gram kokainë dhe një qese me 0.46 gram marihuanë. Kontrolli i mëtejshëm në banesën e tij solli në dritë edhe dy qese marihuanë me peshë 2.62 gram.
Gjithashtu, autoritetet sekuestruan një pistoletë me një karikator dhe 16 fishekë, ndërsa në banesë u gjetën edhe 26 fishekë të tjerë kalibri 9×9 mm.
Prokuroria deklaroi se provat materiale janë marrë si pjesë e dosjes hetimore, ndërsa ndaj reperit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Nga ana tjetër, avokati i tij, Naim Ferati, refuzoi të japë deklarata për media, duke thënë se nuk ka autorizim për të komentuar mbi çështjen.