
Uji bllokon lëvizjen në Tiranë–Durrës, përcaktohen rrugë alternative për shmangien e trafikut dhe aksidenteve
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë ditës së sotme kanë krijuar vështirësi serioze në qarkullimin rrugor, veçanërisht në aksin interurban që lidh Tiranën me Durrësin. Në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit, prania e madhe e ujit në të dyja korsitë e lëvizjes e ka bërë të pamundur qarkullimin normal të automjeteve.
Në reagimin e saj zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se, për të shmangur trafikun e rënduar dhe rrezikun e aksidenteve, është vendosur devijimi i përkohshëm i qarkullimit në disa segmente rrugore.
Sipas planit të masave, automjetet që lëvizin nga jugu në drejtim të Tiranës duhet të përdorin Rrugën e Plepave për në Ndroq dhe më pas të ndjekin aksin Rrogozhinë Elbasan Tiranë. Ndërkohë, për drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Durrësit, kalimi do të realizohet nga rruga e universitetit në drejtim të Spitallës, për të vijuar më pas në aksin Tiranë Elbasan Rrogozhinë.
Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë, të cilët ndodhen në terren për menaxhimin e situatës. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe patrullat e përgjithshme vijojnë punën për lehtësimin e qarkullimit dhe ndihmën ndaj drejtuesve të mjeteve.
