
Shirat e dendur kanë krijuar vështirësi të izoluara në disa bashki të qarkut Vlorë, ndërsa ekipet e emergjencave po punojnë për normalizimin e situatës.
Reshjet intensive të orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa pika të Qarkut Vlorë, ku uji dhe rrëshqitjet kanë dëmtuar segmente rrugore dhe disa banesa. Strukturat e bashkive dhe emergjencat civile janë në terren që prej mëngjesit për të vlerësuar dëmet dhe për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme.
Në fshatin Nivicë të Bashkisë Himarë është raportuar përmbytja e një banese, ndërsa shërbimet vendore po monitorojnë situatën dhe po ndihmojnë familjen e prekur.
Në fshatin Vishe, po ashtu në Bashkinë Himarë, një pjesë e rrugës është bllokuar nga inertet e rrëshqitura për shkak të reshjeve të dendura. Ekipet e bashkisë kanë nisur pastrimin e aksit për rikthimin e qarkullimit të plotë.
Në zonën e Bratajt, Bashkia Selenicë, reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje dherash që kanë bllokuar njërën anë të rrugës. Punonjësit e bashkisë po pastrojnë segmentin për të garantuar lëvizjen e mjeteve.
Probleme të rëndësishme janë shënuar edhe në aksin Virion–Muzinë, pranë fshatit Mesopotam, ku lumi Bistricë ka dalë nga shtrati dhe niveli i ujit ka arritur rreth 50 centimetra. Rruga është bërë e pakalueshme, ndërsa Policia Rrugore, bashkitë dhe emergjencat po ndjekin situatën në kohë reale.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani nuk raportohet për problematika të tjera në qark, por monitorimi do të vijojë gjatë gjithë ditës për shkak të parashikimeve për reshje të mëtejshme.
