
Rënie gurësh, inertesh dhe borë në zonat malore, ARRSH apel për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve
Reshjet intensive të shiut kanë vijuar gjatë orëve të natës në të gjithë territorin e vendit, duke shkaktuar probleme në disa akse rrugore, kryesisht në rajonin verior dhe jugor. Sipas të dhënave më të fundit, intensiteti i reshjeve është rritur ndjeshëm në juglindje, ndërsa në veri shiu ka pushuar në orët e para të mëngjesit.
Ndërkohë, reshje dëbore janë regjistruar në segmentet Bogë–Theth dhe Qafë Mali–Fierzë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, disa akse kanë pasur probleme si pasojë e rënies së gurëve dhe inertesh në trup të rrugës.
Në rajonin verior, problematika janë evidentuar në këto akse rrugore: Bajram Curri–Valbonë, Dushaj–Lekbibaj, Sopot–Kam, Qafë Mali–Fierzë, Ura e Fanit, Rrëshen–Shpal, Shpal–Fushë Arrëz, Hani i Hotit–Dogana Vermosh, Sevastër–Kalivaç, Kukës–Shishtavec, Shpal–K/Hadroj, Kukës–Krumë, Skuraj–Burrel dhe Peshkopi–Vasije.
Në rajonin jugor, problematika janë raportuar në akset Lazarat, Kardhiq–Delvinë dhe Lekël–Këlcyrë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të reduktojnë shpejtësinë për shkak të lagështisë në rrugë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë drejt zonave malore ku ka prezencë dëbore.
