
Dhjetëra organizata paralajmërojnë se projekti turistik rrezikon biodiversitetin unik të ishullit dhe mbijetesën e dhjetëra specieve të rralla detare
Rreth 40 organizata ndërkombëtare që veprojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit kanë reaguar publikisht kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të nismës së propozuar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Tramp. Sipas tyre, ky investim përbën një kërcënim serioz për ekosistemin e brishtë dhe biodiversitetin unik të zonës, me pasoja të pakthyeshme për mjedisin natyror.
Projekti synon transformimin e ishullit të pabanuar të Sazanit, në jugperëndim të Shqipërisë, në një destinacion turistik ultra luksoz. Ishulli, i cili gjatë periudhës komuniste ka shërbyer si zonë ushtarake e izoluar dhe e ndaluar për publikun, parashikohet të kthehet në një kompleks turistik gjigant me një vlerë investimi rreth 1.2 miliardë euro.
Në një letër zyrtare drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Mjedisit Sofian Jaupaj, 41 organizata mjedisore nga 28 shtete të ndryshme shprehin shqetësimin e tyre të thellë për ndikimin që projekti mund të ketë mbi ekosistemet tokësore dhe detare të ishullit. Ato theksojnë se ndërhyrjet e parashikuara cenojnë rëndë balancat natyrore të një zone të mbrojtur dhe me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike.
Sipas organizatave nënshkruese, plani i zhvillimit përfshin ndërhyrje në rreth 450 hektarë sipërfaqe, duke vënë në rrezik serioz habitatet natyrore dhe biodiversitetin e Sazanit. Ishulli dhe hapësirat detare përreth tij konsiderohen zona kyçe për mbijetesën e disa prej specieve më të rralla dhe më të kërcënuara në botë.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me praninë e fokës mesdhetare, një nga gjitarët detarë më të rrezikuar globalisht, e klasifikuar si specie në rrezik zhdukjeje. Përveç saj, në këtë zonë janë identifikuar edhe 36 specie të tjera detare të listuara si të kërcënuara në nivel ndërkombëtar.
Organizatat mjedisore kërkojnë jo vetëm pezullimin e çdo vendimmarrjeje për vijimin e projektit, por edhe përfshirjen e territorit tokësor të ishullit të Sazanit brenda parkut kombëtar detar që aktualisht e rrethon atë. Sipas tyre, vetëm një status i plotë mbrojtjeje mund të garantojë ruajtjen afatgjatë të kësaj pasurie natyrore unike.
Deri në këto momente, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë një reagim zyrtar ndaj kërkesës së adresuar në nivelet më të larta të qeverisë, ndërsa debati publik mbi zhvillimin dhe mbrojtjen e Sazanit pritet të intensifikohet në ditët në vijim.
