
Në një kohë kur Hollywood udhëhiqte me superprodhime, Italia e pasluftës guxoi të sfidojë kolosin amerikan me një film që do të bënte histori. “Attila”, epopeja e vitit 1954 me Sophia Loren dhe Anthony Quinn, rikthehet këtë muaj në RaiPlay, duke ringjallur një prej momenteve më të ndritura të kinemasë evropiane.
Regjisori Pietro Francisci ndërtoi me “Attila” një legjendë ku historia dhe pasioni përplasen në të njëjtën skenë. Loren, vetëm 20 vjeç, interpretonte princeshën Honoria, një figurë femërore që shkatërron rregullat e kohës dhe përdor zgjuarsinë e saj përballë pushtetit burrëror. Përkrah saj, Anthony Quinn i jep jetë një Attile njerëzor dhe magnetik, një “armike” që fiton respektin edhe në mes të betejës.
Filmi u xhirua me qindra komparsa, pa efekte digjitale, mes baltës dhe zjarrit të vërtetë të Cinecittà. Ishte koha kur regjia kërkonte guxim, jo kompjuter. Sot, 70 vjet më vonë, “Attila” duket më i gjallë se kurrë: një dëshmi e fuqisë së kinemasë italiane për të ndërtuar mite që sfidojnë kohën.
Sophia Loren, në atë film, nuk ishte thjesht një aktore, ajo u bë simbol i një Evrope që po rilindte, një grua që e ktheu hijeshinë në forcë dhe bukurinë në armë arti. Dhe me këtë rol, ajo nuk fitoi vetëm zemrat e shikuesve, por edhe kurorën e përjetshme të kinemasë botërore.