Në mesnatën mes 25 dhe 26 tetorit, akrepat e orës kthehen 60 minuta pas. Ndryshimi në orën diellore do të zgjasë deri më 29 mars 2026, duke sjellë më shumë dritë në mëngjes dhe mbrëmje më të errëta.
Nga sonte në orën 03:00, ora do të kthehet pas në 02:00, duke shënuar fundin e periudhës së orës verore dhe rikthimin e orës diellore. Ky ndryshim tradicional, që ndodh çdo vit në të dielën e fundit të tetorit, na dhuron një orë më shumë gjumë, por njëkohësisht sjell errësirë më të hershme në pasdite.
Ndryshimi ka për qëllim të shfrytëzojë më mirë dritën natyrale të mëngjesit dhe të reduktojë nevojën për ndriçim artificial, duke ndikuar kështu në kursimin e energjisë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky ndryshim ndikon në ritmet biologjike të trupit, duke shkaktuar shpesh lodhje, pagjumësi apo nervozizëm.
Ora diellore do të qëndrojë në fuqi deri më 29 mars 2026, kur do të kthehet sërish ora verore. Ndërkohë, debati për ta hequr përgjithmonë ndërrimin e orës mbetet i hapur në Bashkimin Evropian. Propozimi për ndalimin e këtij ndryshimi u paraqit që në vitin 2018, por ende nuk ka marrë miratimin përfundimtar nga institucionet evropiane.
