
Qeveria propozon që rimbursimi të kryhet përmes administratës tatimore, duke synuar uljen e kostove të prodhimit në bujqësi
Qeveria ka prezantuar një skemë të re mbështetëse për fermerët, e cila parashikon kompensimin e 10% të TVSH së paguar për blerjen e inputeve bujqësore, si fara, pesticide dhe fidanë. Kjo masë synon të ulë koston e prodhimit dhe të lehtësojë ngarkesën fiskale për prodhuesit bujqësorë, të cilët nuk janë të regjistruar si tatimpagues të TVSH.
Skema e re ndryshon nga modeli i mëparshëm, i cili u hoq në vitin 2022, ku kompensimi bëhej përmes faturave të shitësve. Këtë herë, rimbursimi do të administrohet drejtpërdrejt nga administrata tatimore, një praktikë e ngjashme me atë të vendeve si Franca dhe Greqia.
Sipas projektligjit të propozuar për ndryshime në ligjin e TVSH, kompensimi 10% synon të mbulojë një pjesë të taksës që fermerët paguajnë për inputet, duke i mbështetur ata në procesin e prodhimit. Rimbursimi do të zbatohet vetëm kur produktet bujqësore shiten te subjekte të regjistruara për TVSH, si grumbullues, përpunues apo biznese agroturizmi të certifikuara.
Në relacionin shoqërues të projektligjit, theksohet se vendet e rajonit tashmë zbatojnë skema të ngjashme me norma kompensimi nga 5% deri në 8%, ndërsa në BE shkalla varion nga 2% deri në 12%.
Masat janë të menduara të funksionojnë së bashku me incentivat e tjera të sektorit, përfshirë TVSH e reduktuar 10% për inputet dhe subvencionet për naftën për bujqësi. Qëllimi është forcimi i zinxhirit prodhues dhe rritja e konkurrueshmërisë në treg.
Projektligji ndodhet në shqyrtim dhe pritet të diskutohet në Kuvend në javët e ardhshme.
