
Fuqitë e mëdha shtyjnë kufijtë e gjeostrategjisë, përgatiten për Marsin dhe synojnë pasurinë energjetike të Hënës
Rikthimi i njeriut në sipërfaqen e Hënës, i ndërprerë që prej viteve 70 për shkak të kostove të larta, është sot një objektiv prioritar për superfuqitë botërore. Hëna është shndërruar në një territor strategjik, shkencor dhe ekonomik që mund të përcaktojë ekuilibrat globalë të dekadave të ardhshme.
Për SHBA-në dhe Kinën, vendosja e njeriut në Hënë është mënyra më e qartë për të provuar epërsinë teknologjike dhe gjeopolitike. Specialistët e Euro Space Center theksojnë se gara është e hapur dhe se amerikanët duan të jenë patjetër të parët që rikthehen në sipërfaqe për të ruajtur pozicionin e tyre dominues.
Hëna shihet edhe si trampolina e domosdoshme për misionet e ardhshme drejt Marsit. Agjencitë hapësinore synojnë të ndërtojnë një stacion orbital dhe një bazë të qëndrueshme në sipërfaqe, ku të testohen teknologjitë që do të duhen për udhëtimin shumëmujor drejt planetit të kuq.
Në lojë është edhe një tjetër motiv i fuqishëm: energjia. Sipërfaqja hënore përmban sasi të mëdha të helium-3, një izotop pothuajse i pakapshëm në Tokë, që mund të përdoret për të krijuar energji të pastër përmes fuzionit bërthamor pa mbetje radioaktive. Ky material vlerësohet nga shkencëtarët si një mundësi e jashtëzakonshme për të garantuar furnizim të pakufizuar energjie për njerëzimin.
Misioni Artémis III i NASA, i parashikuar të nisë brenda katër viteve, pritet të jetë rikthimi historik i njeriut në Hënë. Nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo nismë do të shënojë një kapitull të ri të hégjemonisë amerikane në hapësirë, duke rindezur garën për territorin më të lakmuar të shekullit XXI.
