Familjet që kanë në ngarkim fëmijë të moshës nën 18 vjeç në mars të vitit 2026 do të përfitojnë nga tatimet kompensimin për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve. Kompensimi nuk do të jepet si vlerë fikse, por do të përfitohet vetëm pas rillogaritjes së tatimit të paguar për 2025. Rillogaritja e tatimit do të bëhet nëpërmjet plotësimit në muajin Mars 2026 të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Më konkretisht skema e kompensimit parashikon që rillogaritja e tatimit të bëhet pasi bazës së tatueshme që janë të ardhurat bruto vjetore që një individ ka gjeneruar nëpërmjet pagës në vitin 2025, t’i zbriten shpenzimet prej 48 mijë lekë për rritjen e fëmijëve (për çdo fëmijë shpenzimi është 48 mijë lekë) dhe shpenzimi fiks prej 100 mijë në vit për arsimimin e tyre (pavarësisht numrit të fëmijëve shuma e shpenzimeve të arsimimit është fikse).
Individët që nga rillogaritja, do të rezultojnë me tatim të mbipaguar, do të kompensohen për diferencën. Pra vlera e kompensimit është diferenca e tatimit të paguar në 2025 nga tatimi i rillogaritur në 2026 pas zbritjes së shpenzimeve.
Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon hyrjen në fuqi nga viti 2026 të zbritjes së shpenzimeve prej 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim për individët me të ardhura vjetore mbi 1,2 mln lekë në vit dhe zbritje shpenzimesh për arsimimin e fëmijëve me vlerë 100 mijë lekë për individët më të ardhura deri 1,2 mln lekë në vit.
