
Ndryshimet e fundit në skemën e rimbursimit ngrejnë pikëpyetje serioze për transparencën, metodologjinë dhe përfituesit realë të rritjeve ekstreme të çmimeve
Një alarm i ri po ngrihet mbi sistemin shëndetësor shqiptar pas publikimit të ndryshimeve në çmimet e rimbursimit të barnave, ku për disa produkte raportohet rritje deri në 4000 %. Procesi, që në teori duhet të ishte teknik dhe transparent, po shfaqet i paqartë dhe pa shpjegime publike, duke nxitur dyshime për manipulim dhe trajtim preferencial.
Sipas të dhënave që po qarkullojnë, vendimi për ndryshimin e çmimeve është marrë pa një proces real konsultimi me kompanitë farmaceutike dhe pa publikimin e metodologjisë së përdorur. Nuk ka informacion nëse janë zhvilluar dëgjesa, takime zyrtare apo nëse janë marrë parasysh sugjerime nga palët e interesuara.
Një element tjetër që ngre pikëpyetje është fakti se vendimi është publikuar ditën e shtunë, një praktikë që shpesh përdoret për të ulur reagimin publik dhe për të shmangur vëmendjen mediatike. Kjo ka shtuar dyshimet se procesi mund të jetë përgatitur më herët dhe është bërë publik në një moment me ekspozim minimal.
Ajo që bie më shumë në sy janë diferencat e mëdha në rritjen e çmimeve. Ndërsa disa produkte kanë pësuar rritje minimale, për të tjerë rritja është shumëfishuar në mënyrë të pazakontë. Kjo ka nxitur pyetje mbi kriteret e përzgjedhjes, kompanitë që përfitojnë dhe bazën reale ekonomike të këtyre përllogaritjeve.
Ekspertë dhe burime kritike theksojnë se, nëse do të bëhej fjalë për inflacion apo kosto importi, rritja do të ishte e njëtrajtshme. Diferenca nga disa % deri në mijëra % sugjeron një trajtim selektiv që kërkon sqarim të menjëhershëm.
Në fund, kostoja reale e këtyre vendimeve bie mbi qytetarët dhe buxhetin e shtetit. Rritjet në skemën e rimbursimit prekin fondet publike, stabilitetin e tregut të barnave dhe aksesin e pacientëve ndaj medikamenteve.
Ministria e Shëndetësisë pritet të sqarojë publikisht procesin, të publikojë metodologjinë e përllogaritjes, listën e produkteve dhe kompanive përfituese, si dhe arsyetimin për rritjet ekstreme. Pa këto sqarime, dyshimet për një aferë të rëndë financiare në kurriz të shëndetit publik mbeten të forta.
