
Qyteti sirian i shkatërruar nga lufta po përjeton një bum artistik të paparë, me ekspozita, kinema dhe art bashkëkohor që rikthejnë jetën kulturore pas më shumë se pesë dekadash censurë.
Homs, një nga qytetet më të goditura gjatë luftës civile siriane, po përjeton ditë të reja. Për herë të parë që nga fillimi i viteve 1970, skena kulturore e qytetit është duke u zgjeruar me shpejtësi, larg kontrollit politik që për dekada frenoi jetën artistike.
Qyteti, i cili u shkatërrua pothuajse i tëri gjatë konflikteve nga viti 2011 deri në vitin 2024, po ringrihet përmes artit. Teatri ortodoks i Homsit, një ndërtesë e shekullit XIX që dikur ishte rrënojë pas bombardimeve, është restauruar dhe rihapur këtë shtator. Drejtorja e fondacionit Turathuna, Lama Abboud, ka drejtuar punimet për tre vite me synimin për t’i kthyer qytetit një nga qendrat e tij simbolike të kulturës.
Riapja e teatrit u shoqërua me një ekspozitë të kaligrafit të njohur sirian Mounir Chaarani. Artistë dhe vizitorë nga e gjithë Siria udhëtuan drejt Homsit, duke e konsideruar këtë moment si dëshmi të një fillimi të ri. Vendimi i Chaaranit për të ekspozuar sërish pikërisht në Homs dhe jo në Damask është parë si simbolik për ndryshimin e klimës artistike dhe shoqërore.
Në qytet po organizohen gjithashtu projeksione filmash, ekspozita arti bashkëkohor dhe programe edukative për të rinjtë. Për shumë banorë, arti është bërë mënyra më e fortë për të rimarrë identitetin e qytetit dhe për të shëruar plagët e mbetura nga lufta.
Ky rinovim kulturor shihet si shenjë e një faze të re për Homsin, ku komunitetet po përpiqen jo vetëm të rindërtojnë ndërtesat, por edhe jetën shoqërore e shpirtërore të humbur prej vitesh.
