Scotland Yard i ka bërë thirrje qytetarëve britanikë të ndihmojë në gjurmimin e një ish-zyrtari të lartë shqiptar të shërbimeve sekrete, i cili dyshohet për rrëmbimin dhe torturimin e kundërshtarëve politikë dhe që fshihet në Mbretërinë e Bashkuar prej vitesh. Ilir Kumbaro, tashmë në të 70-at, është kërkuar nga Policia Metropolitane për 14 vjet, pasi u largua nga Britania duke thyer kushtin e lirimit me garanci në dhjetor 2011, pak para se të niste seanca e ekstradimit të tij. Ai kërkohet në Shqipëri për urdhërimin e rrëmbimit dhe torturimit të tre personave në vitin 1995, të dyshuar se po komplotonin kundër Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha.
Policia Metropolitane ka bërë thirrje për informacione përmes organizatës Crimestoppers, ndërsa The Telegraph raporton se detektivët po ndjekin gjurmë të reja. Sipas një burimi shqiptar, Kumbaro është parë për herë të fundit në një supermarket në Cardiff në vitin 2016, së bashku me bashkëshorten.
Rikapja e tij do të sillte një farë drejtësie për familjen e Remzi Hoxhës, biznesmen shqiptaro-maqedonas, i cili u rrëmbye në veri të Tiranës më 21 tetor 1995 dhe u torturua në një magazinë së bashku me Zizo Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, me urdhër të Kumbaros, atëherë kreu i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).
Remzi Hoxha, baba i pesë fëmijëve, nuk është parë më kurrë që prej asaj dite. I biri, Ardian Hoxha, i tha The Telegraph: “Jemi shumë të lumtur që më në fund autoritetet britanike janë riangazhuar me çështjen e Ilir Kumbaros, personit që rrëmbeu, torturoi fizikisht dhe vrau babanë tim.”
