
Një shenjë e re, e pazakontë, ka filluar të shfaqet në rrugët e disa vendeve evropiane: rrathë të vegjël të bardhë të vizatuar në mes të asfaltit. Në pamje të parë duken si zbukurime apo sinjale misterioze, por në fakt janë një teknologji inovative sigurie që po përhapet me shpejtësi në kontinent.
Pas Austrisë, Luksemburgut, Zvicrës, Sllovenisë dhe Britanisë së Madhe, tashmë është Spanja ajo që po teston këtë sistem modern të sinjalizimit për të reduktuar aksidentet me motorë, veçanërisht në rrugët malore me kthesa të forta dhe shikueshmëri të kufizuar.
Sipas autoriteteve spanjolle, rrathët e bardhë vendosen qëllimisht në qendër të korsisë për t’i ndihmuar motoristët të mos afrohen shumë me vijën ndarëse të rrugës. Ideja është që, duke shmangur këta rrathë, drejtuesit e motorëve të mbajnë distancë më të sigurt nga automjetet që vijnë në sens të kundërt, duke ulur rrezikun e përplasjes fatale.
Eksperimentimi po zhvillohet fillimisht në rajonin e Katalonjës, në segmentet B-124 midis Sant Llorenç Savall dhe Calders, si dhe në N-260 në Collada de Toses, zona të njohura për kthesa të rrezikshme.
Ky sistem ka rezultuar shumë efektiv në vendet që e kanë provuar më herët. Në Austri, ku u testua për herë të parë në vitin 2007, raportet tregojnë një ulje të ndjeshme të aksidenteve me motorë në rrugët malore.
Ekspertët e sigurisë rrugore theksojnë se përfitimi kryesor i këtij sistemi është kostoja e ulët dhe efikasiteti i lartë, nuk kërkon as ndërtim të ri, as investime të mëdha, por vetëm bojë dhe koordinim në sinjalistikë.
Nëse rezultatet në Spanjë do të jenë pozitive, rrathët e bardhë pritet të shfaqen së shpejti edhe në vende të tjera evropiane. Për autoritetet e transportit, kjo është një risi e thjeshtë, por që mund të shpëtojë jetë, një shembull se si shpesh zgjidhjet më të mençura janë edhe më të thjeshtat.