
Banorët protestuan për zëra, drita dhe shkelje privatësie, por autoritetet i hapin rrugë projektit të këngëtares shqiptaro-britanike
Këngëtarja me famë botërore Rita Ora ka fituar përballjen ligjore me fqinjët e saj në Londër, duke marrë dritën jeshile për të ndërtuar një palestër private moderne në kopshtin e vilës së saj luksoze, që vlerësohet rreth 7.5 milionë paund.
Projekti u kundërshtua ashpër nga banorët e zonës, të cilët paralajmëruan se godina do të sillte zhurmë, ndriçim të tepërt dhe humbje të privatësisë, duke e quajtur një pavijon që prish qetësinë e lagjes. Madje, ata nënshkruan edhe një peticion kolektiv, duke theksuar se ndërtimi bie ndesh me traditën dhe rregullat e zonës.
Ironikisht, vetë Rita më herët ishte shprehur se kopshti i saj ishte një “strehë për shpendët dhe fluturat”, të cilën nuk donte ta prekte me ndërtime moderne. Por, pas shqyrtimit, autoritetet vendore vendosën se projekti i saj është në përputhje me rregullat urbanistike dhe se nuk përbën shkelje të ligjit.
Burime pranë këngëtares konfirmojnë se Ora ka ndjekur çdo procedurë ligjore dhe nuk ka asnjë synim të cenojë harmoninë e lagjes. Megjithatë, përfaqësuesit e saj ende nuk kanë komentuar publikisht vendimin.