Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, është bërë pjesë e fushatës dimërore të Evening Standard për të mbështetur refugjatët, personat pa strehë dhe ata me pasiguri ushqimore në Londër. Fushata mbështetet edhe nga Comic Relief, që ka dhuruar 500,000 £ për nismën.
Në intervistën për Evening Standard, Rita rrëfen historinë e saj si fëmijë refugjate nga Kosova, duke theksuar se kjo përvojë ka formësuar identitetin e saj.
“Rritja si një fëmijë refugjat formoi gjithçka rreth asaj që jam”, tha Rita. “Kur prindërit e mi ikën nga Kosova për të shpëtuar nga përndjekja ndaj shqiptarëve, ata lanë gjithçka për sigurinë dhe një fillim të ri në Mbretërinë e Bashkuar. Duhet të rindërtonin jetën nga e para, nëna ime ishte psikiatre në Kosovë, por kur mbërritëm në Mbretërinë e Bashkuar, ajo duhej të mësonte anglishten dhe të ri-specializohej. Babai im punonte netëve të gjata për të siguruar një të ardhme për ne. Guximi i tyre ndërtoi themelin për gjithë jetën time, dhe muzika u bë strehimi im”.
Ajo vlerësoi mikpritjen që mori familja e saj në momentet më të vështira:
“Njerëzit që na mirëpritën na bënë të ndihemi të pranuar dhe pjesë e diçkaje më të madhe, dhe kjo mirësi më ka qëndruar gjithmonë pranë. Më mësoi se të ndihesh pjesë e një komuniteti nuk është diçka që të jepet, është diçka që e krijojmë së bashku, përmes dhembshurisë dhe hapjes ndaj të tjerëve”.
Me përfshirjen në këtë fushatë, Rita Ora synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ofrojë mbështetje konkrete për njerëzit më të cenueshëm në kryeqytetin britanik, duke treguar se tregimet personale mund të bëhen burim ndryshimi dhe frymëzimi.
