
Camera ardente e hapur për dy ditë në Fondacionin e tij, ndërsa kryebashkiaku Gualtieri dhe figura të artit e modës nderojnë trashëgiminë e stilistit legjendar
Roma po përjeton ditë zie dhe nderimi për Valentino Garavanin, një nga figurat më të mëdha të modës botërore, i ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare. Camera ardente është hapur në selinë e Fondacionit Valentino, në Piazza Mignanelli, ku do të qëndrojë e hapur nga ora 11:00 deri në 18:00, si sot ashtu edhe nesër, duke mbledhur qytetarë, turistë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij.
Në homazhe ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, i cili theksoi se Valentino mishëroi Romën dhe e çoi atë në botë përmes stilit, artit dhe bukurisë. Sipas tij, kryeqyteti italian ka detyrimin ta kujtojë siç e meriton një figurë që la një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore dhe artistike.
Në mesin e atyre që i dhanë lamtumirën e fundit ishte edhe bashkëpunëtori dhe miku i jetës së tij, Giancarlo Giammetti, i cili në një mesazh publik foli për një lidhje që nuk e shuan as koha dhe për bukurinë e ndërtuar së bashku ndër vite. Emocionet u ndjenë edhe mes njerëzve të thjeshtë, që prisnin në radhë që prej orëve të para të mëngjesit për t’i bërë homazh stilistit.
I pranishëm ishte edhe drejtori kreativ i shtëpisë Valentino, Alessandro Michele, i cili e cilësoi Garavanin si një figurë mitike dhe themeluese, trashëgimia e së cilës duhet çuar përpara me përulësi dhe respekt, pa pretenduar zëvendësimin e tij.
Atmosfera në camera ardente është dominuar nga ngjyra e bardhë, me trëndafila dhe dekor floral, në një simbolikë të pastër dhe elegante, ndryshe nga e kuqja ikonike e Valentino-s. Mes detajeve prekëse ishte edhe prania e qenve të tij, simbol i lidhjes së fortë emocionale që stilisti kishte me ta.
Funeralet e Valentino Garavanit do të mbahen të premten, në orën 11:00, në Bazilikën Santa Maria degli Angeli në Romë, ku pritet një pjesëmarrje e gjerë e personaliteteve nga bota e modës, artit dhe institucioneve, për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej ikonave më të mëdha italiane të të gjitha kohërave.
