
Superylli portugez u përjashtua pas një goditjeje me bërryl ndaj mbrojtësit irlandez Dara O’Shea, ndërsa FIFA paralajmëron se pezullimi mund të transferohet në Kupën e Botës.
Cristiano Ronaldo ka marrë kartonin e parë të kuq në karrierën e tij ndërkombëtare, në ndeshjen kualifikuese kundër Irlandës, duke shënuar një moment historik të hidhur në paraqitjen e tij të 226-të me Portugalinë. Incidenti ndodhi pasi mbrojtësi Dara O’Shea e tërhoqi dhe e shtyu vazhdimisht gjatë lojës, çka e çoi Ronaldon të reagojë me një goditje me bërryl. Fillimisht arbitri e ndëshkoi me të verdhë, por pas rishikimit vendimi u konvertua në karton të kuq direkt.
Portugalia humbi 2–0, ndërsa kapiteni 40-vjeçar do mungojë në ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Armenisë. Më problematike është mundësia që pezullimi të vazhdojë edhe në Botërorin 2026, që pritet të jetë turneu i fundit i Ronaldos. Sipas rregullores së FIFA, kartonat e kuq të marrë në kualifikuese transferohen automatikisht në fazën finale të turneut, ndryshe nga kartonat e verdhë që nuk mbartin pezullim.
Ronaldo nuk ka komentuar incidentin, por trajneri Roberto Martinez e mbrojti kapitenin e tij pas ndeshjes. Ai theksoi se dy mbrojtësit irlandezë kishte përdorur faulle të vazhdueshme trupore dhe u shpreh se veprimi i Ronaldos nuk ishte i dhunshëm, por një reagim ndaj provokimeve të pandërprera.
Me 953 gola në karrierë, ylli portugez e gjen veten në qendër të një situate që mund t’i kushtojë pjesëmarrjen në ndeshjen hapëse të Botërorit. Federata portugeze pritet të apelojë vendimin në komisionet disiplinore.
