Gjykata e të Miturve në Itali dënoi me 17 vite burg adoleshentin që shkaktoi vdekjen e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila humbi jetën pasi u shty nga ballkoni i banesës ku jetonte me nënën e saj. Në një intervistë për Top Channel, mamaja e saj, Morena Corbellini, foli për dhimbjen që e shoqëron çdo ditë dhe për mënyrën si e priti vendimin e gjykatës. Ajo u shpreh se, ndonëse dënimi është maksimal për autorin, asgjë nuk mund ta zbusë boshllëkun e humbjes së vajzës.
Corbellini kujtoi Aurorën si një vajzë të qetë, të ndrojtur dhe të ëmbël, e pasionuar pas udhëtimeve dhe me ëndrrën për t’u bërë psikologe. Ajo theksoi se vajza nuk kishte lidhje sentimentale me autorin e ngjarjes, por thjesht e njihte si shok.
Corbellini shton se prej kohësh mendonte se ajo ia kishte ndaluar Aurorës të dilte me të riun që i mori jetën, pasi e dinte se ishte një person që nuk duhej shoqëruar duke rrëfyer më tej se do të krijojë një shoqatë për të ndihmuar prindërit dhe të rinjtë, të cilën do ta quajë “Drita e Aurorës”.
“Të sqarojmë një gjë: Aurora nuk kishte një lidhje dashurie, ajo ishte vetëm 13 vjeç, kështu që bëhej fjalë për diçka pak më shumë se një miqësi. Fakti që gazetarët e paraqitën si të dashurin e saj, sepse kështu tingëllonte më sensacionale, nuk përputhet as me fjalët e mia, as me realitetin. Megjithatë, po, isha në dijeni të kësaj simpatie.
Vendimin e gjykatës e kam pritur pozitivisht nga ana ligjore, por si nënë nuk do të mund të jem kurrë plotësisht e kënaqur, sepse asgjë nuk do të ma kthejë Aurorën. Ai megjithatë është gjallë, mund të qeshë, të bëjë shaka dhe të mendojë për një të ardhme pasi të ketë kryer dënimin, vajza ime është bërë hi nga dora e tij.
E përsëris, nga ana ligjore dhe për llojin e procesit, ky është pothuajse maksimumi që mund të jepej, por për mua nuk është i drejtë, nuk ekziston një dënim i mjaftueshëm për kë ka vrarë vajzën time.
Nëse Aurora do të mund të më dëgjonte sot, do të kuptonte pse e urreja aq shumë atë djalë. Nuk i besoja, nuk doja që ta takonte, madje ia kisha ndaluar. Nuk e di pse, por instinkti më tregonte se ai nuk ishte një person që duhej frekuentuar.
Uroj që të mos ketë më prindër që duhet të kalojnë atë që po kaloj unë. Jeta pa një fëmijë nuk është më jetë, prandaj do të krijoj një shoqatë në kujtim të saj, për të ndihmuar të rinjtë dhe prindërit. Ajo do të quhet “Drita e Aurorës”
