
Çendrim Kameraj, ish-lojtari premtues që ndau fushën me Cristiano Ronaldon e Buffonin te Juventusi, sot punon në ndërtim pas dëmtimeve që i shuan ëndrrën e futbollit profesionist.
Një histori që përzien lavdinë, dhimbjen dhe rinisjen e jetës ka bërë xhiron e mediave evropiane. Çendrim Kameraj, futbollisti kosovar që dikur ndante stërvitjet me Cristiano Ronaldon te Juventusi, sot punon në një kantier ndërtimi në Zvicër, duke treguar se as fama dhe sporti nuk garantojnë një rrugë të lehtë.
Kameraj, 26 vjeç, ishte një nga talentet më premtuese të futbollit zvicerano-kosovar, me përfshirje në ekipet e të rinjve të të dyja vendeve. Ai ishte pjesë e Juventusit në vitet kur gjigantët italianë kishin në skuadër emra si Ronaldo dhe Gianluigi Buffon, periudhë që për të mbetet kujtimi më i bukur i karrierës.
Por fati i tij sportiv ndryshoi rrënjësisht pas tre dëmtimeve të rënda në ligamentet e gjurit, që e detyruan të largohej nga futbolli profesionist. Pas rikthimit në Kosovë, ai u bashkua me ekipin e Superligës, KF Dukagjini, por dëmtimet e përsëritura e bënë të pamundur rikuperimin e plotë.
Sot, Kameraj punon për kompaninë zvicerane të ndërtimit “ICM Bau AG”, ku merret me menaxhimin dhe rekrutimin e punëtorëve në kantiere. Një foto e tij gjatë një vizite pune u bë virale, duke nxitur reagime të shumta nga tifozët që kujtonin të kaluarën e tij futbollistike.
Në një intervistë, ai rrëfeu me qetësi dhe mirënjohje se jeta e tij kishte marrë një drejtim të ri:
“Jam falënderues për gjithçka që kam përjetuar në karrierën time. Pas dy dëmtimeve të tilla, kuptova se nuk isha më i njëjti lojtar. U bëra baba, dhe kjo më ndryshoi përparësitë në jetë.”
Duke kujtuar kohën e tij me Ronaldon, ai tha se ylli portugez ishte i thjeshtë dhe i jashtëzakonshëm në përkushtim.
“Me Cristianon kupton pse ai ia doli. Puna e tij e palodhur e dallon nga të gjithë. Ishte gjithmonë shumë i përulur, madje bënte shaka me mua. Të bën përshtypje kur Ronaldo të thërret me emër,” u shpreh ai.
Historia e Çendrim Kamerajt është bërë frymëzim për shumë të rinj që përballen me pengesa në sport, duke treguar se edhe jashtë fushës mund të gjendet dinjiteti dhe forca për të nisur nga e para.