
Një kthesë e re tronditëse ka ndodhur në procesin gjyqësor të Cédric Jubillar, piktorit nga Tarn që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Delphine, e zhdukur që nga dhjetori i vitit 2020. Në seancën e 12-të të gjyqit, dy gra që kanë qenë në lidhje me të pas zhdukjes së Delphine-s dhanë dëshmi që mund të ndryshojnë drejtimin e procesit.
Jennifer C., një nga gratë me të cilat Jubillar kishte nisur një lidhje gjatë paraburgimit, deklaroi para gjykatës se ai i kishte pranuar vetë se kishte mbytur bashkëshorten e tij. “Më tregoi me duar si e kishte kapur në fyt, si një lloj çelësi në qafë,” -dëshmoi ajo, duke përshkruar gjestin që i kishte bërë Cédric gjatë një takimi në burg.
Ajo shtoi se kishte ndjerë frikë për jetën e saj: “Më tha se nëse do ta tradhtoja, do përfundoja si Delphine. Më tha që në burg e quajnë ‘magjistari’ sepse ka bërë atë që ka bërë.”
Të njëjtën linjë mbajti dhe një tjetër grua, Séverine L., e cila kishte qenë gjithashtu në kontakt të ngushtë me Jubillar pas zhdukjes së gruas së tij. Ajo foli për një njeri manipulues dhe të ftohtë, i cili kënaqej duke mbajtur të gjithë në pasiguri.
I përballur me këto dëshmi, Cédric Jubillar mohoi gjithçka. “Këto janë gënjeshtra. Ndoshta ajo ndjeu që e përdora për të më sjellë gjëra në burg dhe tani kërkon të hakmerret,” -tha ai me ton të qetë, duke mohuar se kishte vrarë gruan e tij.
Në sallë, atmosfera ishte e tensionuar. Jennifer C. shpërtheu në nervozizëm ndaj pyetjeve të avokatëve mbrojtës, ndërsa gjyqtarja e riktheu disa herë në rend për t’u përgjigjur.
Procesi i Jubillar, që ka zgjuar interes të madh në Francë, do të vazhdojë deri më 17 tetor. Prokuroria e konsideron Cédric Jubillar fajtor për “vrasje të bashkëshortes nga bashkëshorti”, ndërsa mbrojtja këmbëngul në pafajësinë e tij, duke theksuar mungesën e provave materiale.
Rasti i Delphine Jubillar mbetet një nga misteret më të errëta të Francës moderne dhe tani, me dëshminë e Jennifer C., pyetja që vërtitet prej katër vitesh bëhet edhe më e rëndë: a rrëfeu vërtet Cédric Jubillar krimin e tij?