
Pengu u mbajt i dhunuar për rreth dy javë dhe u lirua gjatë operacionit Hostage, autorët kërkonin 70 mijë euro për lirimin e tij
Policia e Vlorës ka dhënë detaje zyrtare mbi operacionin që çoi në lirimin e një shtetasi nga Kosova, i cili mbahej peng në një apartament në qytetin bregdetar, si dhe arrestimin e tre personave të përfshirë në ngjarje.
Sipas uniformave blu, pengu është një 39-vjeçar nga Mitrovica, i cili ishte rrëmbyer dhe mbajtur i izoluar që prej datës 28 nëntor 2025 në një apartament në rrugën Janaq Kilica, në lagjen Osman Haxhiu të Vlorës. Gjatë kësaj periudhe, ai është dhunuar fizikisht, ndërsa autorët i kanë kërkuar familjarëve shumën prej 70 mijë eurosh për ta liruar.
Aksioni i policisë u ndërmor pas informacionit të siguruar nga familjarët e viktimës, të cilët denoncuan se i afërmi i tyre mbahej peng në Vlorë. Pas veprimeve të shpejta hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar Hostage, i cili bëri të mundur lirimin e menjëhershëm të pengut dhe arrestimin në flagrancë të tre shtetasve, Julian Zogaj 25 vjeç, Orest Çorapaj 18 vjeç dhe Vilson Agaj 35 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës ku mbahej peng shtetasi nga Kosova, policia sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse të ngjashme me ato të Policisë, e gjetur në posedim të Julian Zogajt.
Pengu, pas lirimit, ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa autorët janë shoqëruar në ambientet e policisë. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprat penale rrëmbim ose mbajtje peng e personit e kryer në bashkëpunim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe mbajtje pa të drejtë të uniformës.
