
Mjeti me targa greke u përplas nga dhera dhe gurë në dalje të tunelit, shoferi dhe pasagjerët shpëtojnë pa lëndime
Reshjet intensive të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në aksin nacional Qukës–Qafë Plloçë, ku janë regjistruar rëshqitje të përsëritura dherash dhe gurësh, duke rrezikuar sigurinë e qarkullimit rrugor.
Situata më kritike raportohet pranë hyrje-daljes së tunelit të këtij aksi, ku prurjet e dherave nga shpatet anësore kanë pushtuar pjesërisht rrugën. Sipas informacioneve nga terreni, një automjet me targa greke është goditur nga një masiv dheu dhe gurësh në momentin që po dilte nga tuneli.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk ka persona të lënduar. Drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët kanë shpëtuar pa pasoja, në një ngjarje që për pak mund të kishte përfunduar në tragjedi.
Në terren ndodhen shërbimet e Policia Rrugore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po marrin masa për garantimin e sigurisë në segmentet problematike. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore deri në stabilizimin e plotë të situatës.
Aksi Qukës–Qafë Plloçë mbetet një nga zonat më të rrezikuara gjatë motit të keq, ndërsa reshjet e vazhdueshme po shtojnë rrezikun e rëshqitjeve të tjera në orët në vijim.
