
Një aksident ajror ka ndodhur pasditen e së shtunës në qytetin bregdetar të Huntington Beach, Kaliforni, ku një helikopter u rrëzua pranë një hoteli luksoz, duke plagosur pesë persona.
Sipas njoftimit të policisë dhe shërbimit zjarrfikës të qytetit, incidenti ndodhi rreth orës 14:00 me orën lokale, në kryqëzimin mes Pacific Coast Highway dhe Huntington Street. Dy persona u nxorën nga helikopteri, ndërsa tre të tjerë u plagosën në rrugë nga mbeturinat e përplasjes.
Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë momentin dramatik kur helikopteri humbi kontrollin, u rrotullua në ajër dhe u përplas me hundë në tokë, pranë disa palmave që ndodhen në afërsi të hotelit “Waterfront Beach Resort”.
Shërbimet emergjente mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa autoritetet federale të aviacionit (FAA) kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit. Një inspektor i FAA u pa në vendin e ngjarjes, duke ekzaminuar mbetjet e helikopterit.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa dëshmitarët thanë se helikopteri dukej se kishte probleme mekanike pak para se të humbte kontrollin.