
Edhe pse numri total i shtrimeve në spitale ka rënë, kardiologjia dhe psikiatria po përballen me fluks në rritje të pacientëve, për shkak të plakjes së popullsisë, ndotjes dhe mungesës së kujdesit parësor.
Gjatë muajve të parë të vitit 2025, spitalet shqiptare kanë trajtuar më pak pacientë në total, por disa shërbime specifike po përballen me një valë të re rastesh, që tregon prirje shqetësuese për shëndetin publik. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në periudhën janar–gusht janë shtruar 209,700 pacientë, një ulje prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndryshe nga kjo tendencë, repartet e kardiologjisë dhe psikiatrisë kanë përjetuar rritje të ndjeshme. Në kardiologji janë trajtuar 7,543 pacientë, me një rritje 17.5% krahasuar me vitin 2024. Sipas mjekëve, kjo lidhet me stilin e jetesës, ndotjen e ajrit, mungesën e aktivitetit fizik dhe rritjen e moshës mesatare të popullsisë. Mjeku urgjentist Ilir Allkja thekson se shumë pacientë në rrethe trajtohen gabimisht për shkak të mungesës së personelit të specializuar dhe pajisjeve mjekësore, duke arritur në spitale vetëm kur gjendja është përkeqësuar.
Edhe numri i pacientëve me çrregullime të shëndetit mendor është rritur ndjeshëm. Për tetëmujorin e parë të 2025-s, në spitalet psikiatrike janë trajtuar 1,129 pacientë, me një rritje 36% krahasuar me vitin e kaluar. Allkja thekson se kjo lidhet edhe me mungesën e një strategjie kombëtare për trajtimin ambulator të personave me varësi nga alkooli, hashashi dhe drogat e forta, një situatë që po reflektohet në rritjen e dhunës në familje dhe shoqëri.
Rritje janë regjistruar gjithashtu në shërbimet mbështetëse: dializa ka përjetuar një rritje 2.5%, urgjencat 3%, ndërsa ndërhyrjet për katarakt janë shtuar me 15%. Nga ana tjetër, depistimet për kancerin e gjirit janë rritur me 61%, ndërsa ato për kancerin e qafës së mitrës kanë rënë me 32%.
Mjekët paralajmërojnë se këto luhatje tregojnë një sistem shëndetësor të pabalancuar, ku mungesa e mjekëve të familjes, ndotja dhe plakja e popullsisë po krijojnë një krizë të heshtur, e cila nëse nuk trajtohet me politika parandaluese, do të rëndojë ndjeshëm mbi shëndetin publik në vitet që vijnë.