
Rrezik i lartë përmbytjesh në Bishan, Fitore dhe Novoselë, prioritet fëmijët dhe të moshuarit
Evakuimet e para kanë nisur në Novoselë pas rritjes së ndjeshme të nivelit të Vjosa, duke shtuar rrezikun e përmbytjeve në disa zona të qarkut Vlorë. Vendimi për evakuim të menjëhershëm u njoftua këtë të enjte nga ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, për shkak të situatës së rënduar nga reshjet e pandërprera të shiut.
Sipas autoriteteve, fshatrat më të rrezikuara nga përmbytjet janë Bishani, Fitore dhe Novosela, ndërsa niveli i lumit Vjosa vijon të rritet. Banorët e këtyre zonave janë njoftuar të largohen nga banesat, për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe shëndetin.
Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefektin e qarkut dhe strukturat e emergjencave civile të bashkisë. Prioritet në evakuim kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa strukturat vendore dhe qendrore janë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të mëtejshme, nëse reshjet dhe prurjet e lumit do të vijojnë të rriten. Qytetarëve u bëhet thirrje të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me ekipet në terren për menaxhimin sa më të sigurt të emergjencës.
