
Kryeministri premton se shtesa do të rritet çdo vit në mënyrë graduale, duke arritur deri në pesëfishim në fund të dekadës.
Që prej muajit janar 2026, pensionistët në Shqipëri kanë nisur të përfitojnë rritjen e pensioneve të parashikuar nga qeveria, në kuadër të një skeme afatgjatë mbështetjeje financiare.
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar detajet e kësaj skeme gjatë podcast-it Flasim, duke theksuar se bëhet fjalë për një rritje progresive që do të vijojë çdo vit deri në vitin 2030.
Sipas Ramës, shtesa e aplikuar në janar të këtij viti do të dyfishohet çdo vit. Kjo do të thotë se në janarin e ardhshëm pensionistët do të marrin dyfishin e shtesës aktuale, një vit më pas trefishin, më pas katërfishin dhe në vitin 2030 do të arrihet në pesëfishimin e shtesës fillestare.
Kryeministri theksoi se kjo ishte një nga zotimet kryesore të mazhorancës aktuale dhe se rritja graduale e pensioneve është pjesë e një mandati që ai e cilësoi historik. Ai nënvizoi se skema është ndërtuar sipas kategorive të pensionistëve dhe synon të sjellë një përmirësim të qëndrueshëm të të ardhurave për këtë shtresë.
Sipas qeverisë, progresioni i rritjes do të ndalet në vitin 2030, duke përmbyllur ciklin e parashikuar të rritjes së pensioneve, në kuadër të objektivave afatgjata ekonomike dhe sociale.
