Arrestimi i 39-vjeçarit në Athinë ka zbuluar një rrjet të madh ndërkombëtar trafikimi kokaine, që operonte nga Amerika Latine deri në Rusi dhe Evropë. Ai ishte kërkuar nga Belgjika me urdhër arresti europian dhe u ndalua nga policia greke pas hetimeve të gjera.
Sipas autoriteteve belge, grupi kriminal përdorte kontenierë të transportit detar për të dërguar sasi të mëdha kokaine nga Ekuadori drejt porteve europiane, kryesisht në Anverp. Rrjeti kishte degë dhe bashkëpunëtorë në disa vende: Ekuador, Belgjikë, Spanjë, Greqi, Shqipëri dhe Rusi.
Hetuesit zbuluan se anëtarët e grupit komunikonin dhe organizonin transportet përmes kontakteve telefonike të sigurta, ndërsa droga ndiqte itinerare të ndryshme për të shmangur zbulimin. Në një nga bisedat, të cituara në dosjen belge, përmendet mbërritja e “3500 njësive”, çka besohet të jenë kilogramë kokaine.
Çështja lidhet drejtpërdrejt me sekuestrimin e një kontenieri në portin e Anverpit në shtator 2024, ku u gjetën rreth 500 kg kokainë të fshehura mes ngarkesës.
Arrestimi në Greqi konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj këtij rrjeti, i cili kishte krijuar lidhje të qëndrueshme ndërkombëtare dhe operonte prej kohësh me struktura të sofistikuara logjistike.
Tani, Belgjika ka kërkuar ekstradimin e 39-vjeçarit për ta gjykuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
