
Operacioni disa-mujor i Gardës Civile dhe Policisë Kombëtare çmontoi një organizatë që përdorte Ibizën si qendër tranziti për kokainë dhe hashash, duke shfrytëzuar rrugë detare të Mesdheut dhe mbështetje brenda institucioneve.
Një nga rrjetet më të organizuara të trafikut ndërkombëtar të drogës, i lidhur me grupet mafioze shqiptare, është çmontuar në Spanjë pas më shumë se dy vitesh hetime. Operacioni i koduar Enroque Bal/Manso është zhvilluar në disa faza në Ibiza, Majorka, Valencia dhe zona të tjera të Mesdheut, ku janë angazhuar njësi speciale, mbështetje ajrore dhe kontrolle të njëkohshme në dhjetëra ambiente.
Sipas autoriteteve spanjolle, organizata përdorte gomone të shpejta për të transportuar ngarkesat e kokainës dhe hashashit nga Afrika e Veriut dhe Amerika e Jugut drejt ujërave të Ibizës. Aty, ngarkesat shpërndaheshin për tregjet europiane përmes rrugëve detare dhe tokësore, pasi më parë ruheshin në depo të fshehta në ishull.
Gjatë 71 kontrolleve të kryera, janë sekuestruar 687 kilogramë kokainë, 2.500 kilogramë hashash, sasi më të vogla lëndësh të tjera narkotike, 1.5 milionë euro para të gatshme, 16 armë zjarri, automjete, ora luksoze dhe vepra arti. Autoritetet e përshkruajnë strukturën e rrjetit si një ndërmarrje kriminale me sektorë të veçantë për transport, ruajtje, financa dhe pastrim parash.
Në total janë arrestuar 76 persona. Mes tyre gjendet i dyshuari si drejtues i operacionit, Stefan Milojevic, i konsideruar krahu ekzekutiv i mafies shqiptare në Spanjë, avokati Gonzalo Márquez, i identifikuar si përgjegjës për rrjetin financiar, si dhe inspektori i Policisë Kombëtare, Faustino Nogales, i cili dyshohet se siguronte informacione të brendshme për t’i shmangur kontrolleve.
Të gjithë ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar lidhjet e mëtejshme në vende të tjera të Europës. Pamjet e publikuara nga autoritetet tregojnë ndërhyrjet në banesa, sekuestrimin e drogës dhe parave, si dhe operacionet detare e ajrore që çuan në goditjen finale të rrjetit.
