
Avioni u godit mbi det, panik në kabinë, piloti qetëson pasagjerët
Një moment frike është përjetuar në ajër nga basketbollistët e klubit izraelit Makabi dhe tifozët që udhëtonin me ta, gjatë kthimit nga Madridi, ku skuadra kishte zhvilluar ndeshjen e radhës në Euroligë.
Sipas mediave izraelite, rreth 20 minuta para uljes, teksa avioni ndodhej mbi det, ai u godit nga rrufeja. Goditja ndriçoi menjëherë kabinën dhe u shoqërua me një zhurmë të fortë, duke shkaktuar panik dhe tension mes pasagjerëve.
Piloti reagoi shpejt pas incidentit, duke u komunikuar udhëtarëve se avioni ishte projektuar për të përballuar situata të tilla dhe se nuk kishte rrezik për sigurinë e fluturimit. Pavarësisht kësaj, frika ishte e dukshme deri në momentet e fundit të udhëtimit.
Në një përpjekje për të ulur tensionin, tifozët e Makabit nisën të këndonin dhe të brohorisnin në kabinë, duke krijuar një atmosferë më të qetë dhe duke mbështetur ekipin, veçanërisht trajnerin Oded Kattash.
Basketbollisti i ri Oren Sahar, duke folur për mediat izraelite, përshkroi momentin si tejet të frikshëm. Ai tha se avioni filloi të dridhej, gjithçka u ndriçua për pak çaste dhe pasagjerët u stresuan, por në fund gjithçka përfundoi pa pasoja dhe ekipi mbërriti shëndoshë e mirë në destinacion.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziqet e motit gjatë fluturimeve, edhe pse ekspertët theksojnë se avionët modernë janë të ndërtuar për t’i përballuar goditjet nga rrufetë pa rrezikuar sigurinë e pasagjerëve.
