
Mosmarrëveshjet për merkato dhe rolin e tij në klub çuan në largimin e trajnerit portugez nga Old Trafford
Ruben Amorim nuk është më trajner i Manchester Unitedt, pas një serie tensionesh dhe mosmarrëveshjesh të forta me drejtuesit e klubit, të lidhura kryesisht me politikat e merkatos dhe strukturën e vendimmarrjes sportive.
Sipas burimeve pranë klubit, Amorim ishte i pakënaqur me mungesën e mbështetjes për objektivat e tij në merkato dhe me faktin që lista e transferimeve ishte hartuar nga drejtori i futbollit Jason Wilcox dhe drejtori i rekrutimit Christopher Vivell, ndryshe nga dëshirat e tij. Situata u përkeqësua pasi trajneri portugez vendosi t’i bëjë publike këto pakënaqësi, veprim që u konsiderua si thyerje e vijës institucionale.
Një tjetër pikë përplasjeje ishte kërkesa e Amorim që të quhej menaxher dhe jo trajner i parë, çka u interpretua si tentativë për të rritur ndikimin e tij në hierarkinë e klubit. Kjo lëvizje erdhi pas barazimit 1-1 me Leeds dhe përshpejtoi vendimin e bordit për ta shkarkuar.
Megjithëse Manchester United kishte mundësi financiare për të operuar në merkato, disa objektiva të përmendur nga Amorim nuk u realizuan. Klubi ishte i gatshëm të aktivizonte klauzolën e lirimit për Antoine Semenyo, por lojtari pritet të transferohet te Manchester City. Amorim gjithashtu kishte shprehur dëshirën për të larguar Joshua Zirkzee, por kjo nuk u konsiderua prioritet nga drejtuesit.
Amorim largohet nga Old Trafford me një bilanc modest, duke regjistruar përqindjen më të ulët të fitoreve në Premier League mes trajnerëve të përhershëm të klubit. Manchester United renditet aktualisht në vendin e gjashtë në kampionat dhe drejtuesit kanë bërë të ditur se objektivi për kualifikimin në Europë mbetet i pandryshuar.
Klubi pritet të emërojë fillimisht një trajner të përkohshëm, ndërsa disa emra janë përfolur për të marrë drejtimin e skuadrës në vazhdim. Drejtuesit theksojnë se trajneri i ardhshëm do të duhet të përshtatet me një model bashkëpunues dhe me strukturën e re sportive të vendosur nga bordi.
