
Moska dhe Pekini reagojnë ashpër pas mesazhit të Tramp drejtuar kryeministrit norvegjez, duke e akuzuar SHBA-në për presion politik dhe përdorim të rremë të rrezikut kinez
Rusia dhe Kina kanë reaguar ashpër ndaj presidentit amerikan Donald Tramp, pas mesazhit kontrovers që ai i ka dërguar kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, lidhur me pretendimet amerikane mbi Groenlandën. Moska dhe Pekini e cilësojnë qasjen e Uashingtonit si presion politik dhe justifikim artificial për interesa strategjike.
Sipas mediave ndërkombëtare, Donald Tramp ka vënë në dyshim të drejtën e Danimarkës mbi Groenlandën, duke pretenduar se nuk ekzistojnë dokumente të shkruara që provojnë pronësinë dhe se Kopenhaga nuk është në gjendje ta mbrojë ishullin nga Rusia apo Kina. Ai e ka lidhur këtë çështje edhe me faktin që nuk është vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqe, duke deklaruar se nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm në funksion të paqes.
Në reagimin e saj zyrtar, Kina i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të ndalojnë përdorimin e asaj që e quajti kërcënim i sajuar nga Kina, si pretekst për zgjerim ndikimi dhe presion gjeopolitik. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze theksoi se SHBA po përdor narrativën e rrezikut kinez për të ndjekur interesa të ngushta strategjike.
Nga ana tjetër, Kremlini reagoi përmes zëdhënësit Dmitry Peskov, i cili deklaroi se disa analistë ndërkombëtarë besojnë se një zgjidhje e çështjes së Groenlandës do ta bënte Donald Trampin një figurë historike, por shtoi se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se një veprim i tillë do të ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Kryeministri i Norvegjisë i ka bërë të qartë presidentit amerikan se qeveria norvegjeze nuk ka asnjë rol në dhënien e Çmimit Nobel për Paqe, ndërsa kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka theksuar se e ardhmja e territorit duhet të vendoset vetëm nga vetë populli i Groenlandës, pa presione dhe kërcënime.
Tensionet rreth Groenlandës po rriten ndjeshëm, ndërsa reagimet ndërkombëtare tregojnë se ambiciet e reja të Uashingtonit po përballen me kundërshtim të fortë nga fuqitë e mëdha globale.
