
430 dronë dhe 18 raketa goditën gjatë natës kryeqytetin dhe qytete të tjera, dhjetëra të plagosur mes tyre fëmijë dhe një grua shtatzënë
Sulme të reja shkatërruese nga Rusia goditën Ukrainën gjatë natës, duke kthyer Kievin në një zonë të mbuluar nga tymi dhe rrënojat. Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi se të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur, përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Zelensky e cilësoi sulmin si “të lig” dhe “brutal”, duke bërë të ditur se Rusia përdori rreth 430 dronë kamikazë dhe 18 raketa, një nga sulmet më të mëdha të këtij dimri.
Sipas tij, objektivi kryesor ishte kryeqyteti Kiev, ku dhjetëra pallate banimi u goditën ose u dëmtuan rëndë. Copëza të një rakete Iskander ranë mbi Ambasadën e Azerbajxhanit, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale.
Përveç Kievit, sulme u raportuan edhe në Kharkiv dhe Odesa, ku alarmet antiajrore u dëgjuan për orë të tëra.
Ky përshkallëzim vjen ndërsa lufta po hyn në një tjetër dimër pa perspektivë paqeje, pavarësisht përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për të negociuar një marrëveshje dhe sanksioneve të reja amerikane ndaj prodhuesve më të mëdhenj të naftës ruse.
Autoritetet ukrainase paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet nën rrënoja.
