
Ish-zyrtarë ushtarakë paralajmërojnë se lëvizjet e Putinit në Bjellorusi sinjalizojnë rrezik për përshkallëzim përtej Ukrainës
Rusia po grumbullon qindra mijëra trupa pranë kufijve të NATO-s, duke rritur shqetësimet për sigurinë evropiane dhe për mundësinë e një përshkallëzimi të ri ushtarak. Paralajmërimi vjen nga Roderich Kiesewetter, ish-oficer i ushtrisë gjermane dhe ish-zyrtar i NATO-s, i cili tha se viti 2026 po shndërrohet në një nga më kritikët për paqen në Evropë në dekadat e fundit.
Sipas tij, Rusia ka zhvendosur mes 350 mijë dhe 360 mijë ushtarë të gatshëm për luftë në Bjellorusi, shumë pranë kufijve të aleancës perëndimore. Këto lëvizje, sipas Kiesewetter, janë veçanërisht shqetësuese për shtetet baltike dhe tregojnë se Moska po përgatit skenarë që shkojnë përtej luftës në Ukrainë.
Kremlini ka deklaruar se gjatë këtij viti mbi 400 mijë rekrutë të rinj i janë bashkuar ushtrisë ruse, duke tejkaluar objektivat e vendosura nga presidenti Vladimir Putin. Ndërkohë, analistë ushtarakë perëndimorë kanë vënë në dukje intensitet të paprecedentë të stërvitjeve dimërore të forcave ruse, çka shihet si tregues i një ekonomie të kthyer plotësisht në shërbim të luftës.
Kiesewetter theksoi se fakti që qindra mijëra trupa trajnohen, por nuk dërgohen në Ukrainë, tregon se Rusia po mban rezerva të mëdha ushtarake për skenarë të tjerë të mundshëm. Ai u bëri thirrje qeverive evropiane të informojnë qytetarët për rreziqet në rritje, pa krijuar panik, por duke rritur vigjilencën dhe përgatitjen.
Paralajmërimet vijnë në një kohë kur edhe drejtues të lartë ushtarakë në Britani dhe Francë kanë folur hapur për nevojën që shoqëritë perëndimore të përgatiten për sakrifica në rast konflikti. Shefi i shtabit të mbrojtjes britanike deklaroi se edhe familjet britanike duhet të jenë të gatshme për një përballje të mundshme, duke theksuar se edhe pse rreziku i një sulmi të drejtpërdrejtë rus mbetet i ulët, ai nuk është zero.
Në të njëjtën linjë, drejtues të NATO-s kanë paralajmëruar se Evropa po hyn në një fazë delikate sigurie, ku përgatitja dhe bashkëpunimi mes aleatëve do të jenë vendimtare për të shmangur një konflikt më të gjerë kontinental.
