
Moska reagon ashpër ndaj mbështetjes britanike për Ukrainën; ministri i Jashtëm Lavrov thotë se dërgimi i trupave evropiane në front dhe sekuestrimi i aseteve ruse do të konsiderohet shkak për përshkallëzim të madh.
Rusia ka dërguar një paralajmërim të ri kundër Britanisë dhe vendeve të NATO-s, duke nënvizuar se vendosja e trupave europiane në Ukrainë apo sekuestrimi i fondeve ruse do të sillte reagim të menjëhershëm nga Kremlini. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov deklaroi se Moska nuk synon luftë me Evropën, por është e gatshme të përgjigjet ndaj çdo hapi që konsiderohet kërcënim ndaj interesave të saj.
Lavrov vlerësoi përpjekjet e presidentit amerikan Donald Tramp për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa akuzoi Britaninë dhe vendet e BE-së për qëndrim destruktiv ndaj procesit diplomatik. Sipas tij, Perëndimi ka investuar politikisht në përballjen me Rusinë dhe vazhdon të besojë se mund ta mposhtë ushtarakisht.
Paralajmërimi i tij vjen ndërsa mediat britanike raportuan se një ushtar i Mbretërisë së Bashkuar humbi jetën në Ukrainë gjatë një prove armësh mbrojtëse. Në të njëjtën kohë, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj rajoneve ukrainase, me sulme me raketa dhe dronë që kanë goditur Dnipropetrovskin, Chernihivin dhe Odesën, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.
Lavrov theksoi se Moska preferon zgjidhje politike, por nëse është e nevojshme, do të përdorë mjete ushtarake. Ai përsëriti se Rusia është e përgatitur të reagojë nëse NATO dërgon trupa në Ukrainë, duke ngritur shqetësime për rritjen e rrezikut të një konflikti të gjerë mes blloqeve.
Situata në frontin ukrainas mbetet e tensionuar, ndërsa palët janë larg një marrëveshjeje paqeje dhe debati mbi përfshirjen direkte të NATO-s në konflikt vazhdon të ndezë skenarët më të rrezikshëm për përshkallëzim global.
