
Kremlini sinjalizon gatishmëri, por paralajmëron se duhet punë e madhe përgatitore para se dy presidentët të ulen sërish në tavolinë.
Kremlini ka deklaruar se dëshiron që takimi i radhës mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit rus Vladimir Putin të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur. Duke folur të hënën, zëdhënësi Dmitry Peskov theksoi se një samit i tillë kërkon përgatitje të thellë dhe kushte të përshtatshme për të prodhuar rezultate konkrete.
Tramp prej muajsh po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, kryesisht përmes diplomacisë direkte me Moskën. Megjithatë, pavarësisht presionit të Uashingtonit, përfshirë sanksione ndaj gjigantëve shtetërorë të naftës në Rusi dhe kërcënime për t’i dhënë Kievit armë më të avancuara, Kremlini nuk ka lëvizur nga pozicionet e tij maksimale.
Një samit i mëparshëm i propozuar në Hungari u anulua pasi Rusia refuzoi kushtin e Tramp për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.
Peskov tha se ende nuk është e mundur të përcaktohet një datë konkrete:
“Sa të përfundojë puna përgatitore dhe të krijohen kushtet e duhura, ne shpresojmë që samiti të zhvillohet. Të gjithë jemi të interesuar që këto kushte të krijohen sa më shpejt.”
Takimi i fundit mes Tramp dhe Putin u mbajt në Alaskë në gusht, por nuk arriti të prodhojë përparim drejt paqes në Ukrainë.
