
Mbi 600 raketa dhe dronë goditën Kievin dhe qytetet jugore në një valë shkatërruese sulmesh. Zelensky flet për luftë kundër civilëve, ndërsa Polonia dhe NATO vihen në gatishmëri.
Në orët e para të së dielës, Rusia lëshoi mbi 600 dronë dhe raketa në drejtim të qyteteve ukrainase, një nga sulmet ajrore më masive që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022. Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, të paktën katër persona humbën jetën në Kiev, mes tyre një vajzë 12-vjeçare, ndërsa mbi 70 të tjerë u plagosën në kryeqytet dhe në rajonet jugore të Zaporizhzhia-s.
Pamjet e transmetuara nga CNN treguan mbrojtjen ajrore të Kievit duke interceptuar qindra dronë mbi qiellin e qytetit, ndërsa shpërthimet ndriçonin horizontin. “Ky është mesazhi i vërtetë i Rusisë pas javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së,” -deklaroi Zelensky.
Komanda e forcave ajrore ukrainase njoftoi se Rusia përdori 595 dronë dhe 48 raketa, përfshirë raketa balistike dhe lundrimi me rreze të gjatë, në një ofensivë që u përshkrua si e treta më e madhe e luftës.
Falë sistemeve të mbrojtjes ajrore, përfshirë sistemin Patriot të dhuruar nga Izraeli dhe Gjermania, shumica e dronëve dhe 43 raketa u neutralizuan në fluturim, megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha, veçanërisht në ndërtesa civile dhe në infrastrukturën energjetike të Kievit.
Në një reagim të ashpër, shefi i kabinetit presidencial, Andriy Yermak, e quajti këtë luftë të qëllimshme kundër civilëve, ndërsa ministri i jashtëm Andriy Sybiha paralajmëroi: “Putin duhet ta dijë se çdo sulm i tillë e çon më afër momentit kur asetet ruse do të përdoren për mbrojtjen e Ukrainës.”
Gjatë bombardimeve, Polonia ngriti avionë luftarakë në ajër për të mbrojtur hapësirën e saj, pas raportimeve se disa dronë rusë kishin kaluar afër kufirit. “Këto masa janë parandaluese dhe synojnë sigurinë e qytetarëve,” -njoftoi ushtria polake.
Raste të ngjashme u raportuan edhe në Norvegji, Danimarkë dhe Estoni, ku dronë të panjohur u panë pranë bazave ushtarake dhe aeroporteve, duke rritur tensionet në të gjithë rajonin baltik.
Në përgjigje, NATO njoftoi se do të forcojë mbrojtjen ajrore në Evropën Veriore. Kryetari i Komitetit Ushtarak të Aleancës, Giuseppe Cavo Dragone, deklaroi nga Letonia: “Çdo kërcënim ndaj hapësirës ajrore, tokësore apo detare të NATO, do të marrë përgjigje të vendosur dhe proporcionale.”
Sulmet ndodhën vetëm disa ditë pasi Zelensky u kthye nga SHBA, ku njoftoi një “mega-marrëveshje” prej 90 miliardë dollarësh për blerjen e sistemeve amerikane të armatimit, pas takimit me presidentin Donald Tramp.
Tramp deklaroi se Ukraina është në pozicion për të luftuar dhe fituar, duke sinjalizuar një kthesë të fortë në qëndrimin e Uashingtonit.
Ndërkohë, Moska pretendon se goditjet ishin sulme masive ndaj industrisë ushtarake ukrainase, duke mohuar se kishte në shënjestër civilët.
Në Kiev, tymi i shpërthimeve vazhdoi të mbulonte qiellin edhe mëngjesin e së dielës, ndërsa banorët tentonin të ktheheshin në normalitet.
Në këtë klimë tensioni, çdo shpërthim mbi Ukrainë duket se jehon deri në zemrën e Evropës, një paralajmërim se lufta nuk ka mbaruar dhe rreziku po afrohet sërish me kufijtë perëndimorë të kontinentit.