

Rusia furnizon Kinën me armë, trajnime dhe teknologji për pushtimin e Tajvanit, deri në vitin 2027.
Një raport i publikuar nga Royal United Services Institute (RUSI) në Mbretërinë e Bashkuar, i bazuar në mbi 800 faqe dokumente të rrjedhura nga grupi i hakerëve “Black Moon”, pretendon se Rusia po i jep ndihmë ushtarake Kinës për të përgatitur një pushtim të mundshëm të Tajvanit, deri në vitin 2027.
Sipas dokumenteve, Moska ka pranuar ta furnizojë Pekinin me dhjetëra mjete të blinduara amfibie BMD-4M, artileri të vetëlëvizshme antitank Sprut-SDM1, transportues të blinduar trupash dhe pajisje të tjera, të gjitha të përshtatura me sisteme komande në gjuhën kineze. Rusia po ashtu do të trajnojë trupa kineze në bazat e saj dhe do të krijojë në Kinë një qendër të posaçme për mirëmbajtjen e pajisjeve ruse.
Raporti përshkruan projektin “Sword 208”, që përfshin teknologji të avancuara si kaska me mikrofon biometrik dhe terminale komandimi me ekran prekës, për të rritur ndjeshëm kapacitetet e trupave ajrore kineze. Bashkëpunimi ruso-kinez shkon përtej furnizimeve: Moska po ndan eksperiencën e saj në operacionet ajrore dhe amfibie, të fituar nga lufta në Ukrainë, për t’i përdorur në një pushtim të mundshëm të Tajvanit.
Dokumentet paralajmërojnë se një ndërhyrje e tillë do të sillte luftime në gjithë Detin e Kinës Jugore dhe përplasje të drejtpërdrejta me forcat amerikane që mbrojnë Tajvanin. Raporti nënvizon se Rusia, e cila deri tani ka qenë e kujdesshme ndaj ndarjes së teknologjive të saj ushtarake me Kinën, tani po shfaqet më e gatshme, pasi Kremlini synon të forcojë lidhjet strategjike me Pekinin përballë Perëndimit.