
Ankara forcon bashkëpunimin me Moskën në fushën e energjisë, ndërsa zhvillon negociata paralele me Kinën dhe SHBA për projekte të reja bërthamore.
Rusia pritet të marrë epërsinë në garën për ndërtimin e centralit të dytë bërthamor të Turqisë në qytetin bregdetar Sinop, në veri të vendit. Sipas mediave turke, korporata shtetërore ruse Rosatom konsiderohet në avantazh për projektin strategjik, falë përvojës së saj të mëparshme në territorin turk
Aktualisht, Rosatom po ndërton katër reaktorë në centralin e parë bërthamor të Turqisë, në Akkuyu, në bregdetin e Mesdheut, një projekt me vlerë rreth 20 miliardë dollarë. Sipas ministrit turk të Energjisë, Alparslan Bayraktar, kjo përvojë e bën kompaninë ruse më të përgatitur për të marrë përsipër edhe ndërtimin e impiantit të Sinopit.
“Rosatom është një kompani që ka investuar në Turqi dhe ka fituar përvojë në terren. Kjo është arsyeja pse ata janë natyrshëm përpara në këtë garë,” -deklaroi Bayraktar në një intervistë për mediat kombëtare.
Centrali i ri në Sinop, që parashikon katër reaktorë në bregun e Detit të Zi, do të realizohet përmes një partneriteti publik-privat. Procesi i licencimit pritet të zgjasë dy deri në tre vjet, ndërsa ndërtimi mund të nisë në fund të dekadës.
Krahas Rusisë, edhe Korea e Jugut ka shprehur interes për projektin, ndërsa Kina dhe SHBA po zhvillojnë negociata të ndara për dy impiante të tjera bërthamore, një në rajonin e Trakisë, në perëndim të vendit dhe një tjetër që do të përdorë reaktorë modularë të vegjël (SMR). Kompania amerikane Westinghouse Electric Co. ka konfirmuar interesin për të investuar në këto projekte dhe pritet të dërgojë delegacion në Ankara gjatë këtij muaji.
Turqia synon të shtojë mbi 20 gigavat kapacitet bërthamor deri në vitin 2050, me mundësi që kjo shifër të arrihet edhe më herët, në vitet 2040, nëse projektet në Sinop dhe Traki zgjerojnë kapacitetin në tetë reaktorë secila. Së bashku me katër njësitë që po ndërtohen në Akkuyu, kjo do të siguronte rreth 22 gigavat kapacitet neto.
Kur të jetë plotësisht funksional në vitin 2028, centrali i Akkuyus pritet të furnizojë 10% të kërkesës kombëtare për energji elektrike. Turqia planifikon që 11% të energjisë elektrike të vijë nga burimet bërthamore deri në 2035, dhe gati 30 % deri në vitin 2053, në përputhje me objektivat e saj për neutralitet klimatik.
Ky zhvillim e pozicionon Ankaranë si një nga fuqitë e reja bërthamore të rajonit euroaziatik, duke forcuar njëkohësisht varësinë e saj strategjike nga Rusia, në një periudhë kur energjia po bëhet një instrument kyç i ndikimit gjeopolitik global.