
Moska kërkon sqarime mbi akuzat amerikane për testime të fshehta bërthamore, ndërsa Uashingtoni ende nuk ka dhënë përgjigje zyrtare.
Rusia ka shprehur gatishmëri për të zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara, pas akuzave të bëra nga presidenti amerikan Donald Tramp se Moska ka kryer testime të fshehta bërthamore. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se vendi i tij është i hapur për dialog për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve mes dy fuqive bërthamore.
Në javët e fundit, Rusia ka kryer ushtrime ushtarake të forcave strategjike në tokë, det dhe ajër, duke testuar sisteme të armëve të afta të mbajnë ngarkesa bërthamore. Por Moska ka mohuar kategorikisht se ka kryer një shpërthim bërthamor të vërtetë nëntokësor, siç pretendoi Trmp, i cili madje paralajmëroi se SHBA mund të nisë teste të reja bërthamore nëse akuzat rezultojnë të sakta.
Lavrov tha se dy vendet mund të verifikojnë çdo dyshim përmes sistemit global të monitorimit sizmik, duke theksuar se testet pa reaksion bërthamor zinxhir nuk janë të ndaluara nga traktatet ndërkombëtare. Ai shtoi se Rusia nuk ka marrë ende asnjë shpjegim të detajuar nga Uashingtoni për bazën e këtyre pretendimeve.
Kremlini konfirmoi se komunikimet mes dy palëve janë të kufizuara, ndërsa zyrtarët amerikanë nuk kanë bërë asnjë hap konkret për sqarim. Kjo ndodh në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara edhe për shkak të luftës në Ukrainë dhe sanksioneve të reja të vendosura nga SHBA ndaj Moskës.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), Rusia dhe Shtetet e Bashkuara zotërojnë së bashku rreth 8,000 koka bërthamore, mbi 85% të arsenaleve bërthamore në botë. Çdo përshkallëzim mes dy vendeve konsiderohet rrezik serioz për stabilitetin global.
Lavrov theksoi se Rusia mbetet e gatshme për një takim mes presidentit Vladimir Putin dhe Donald Tramp, nëse pala amerikane rikthen iniciativën për dialog diplomatik.
